Mbetjet e kthyera në Shqipëri pasi dyshohen që janë të rrezikshme janë bërë pjesë e debateve në Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, ku e pranishme ishte Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila prezantonte projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025” për dikasterin që ajo drejton.
E pyetur nga deputeti i opozitës Luan Baçi në lidhje me këto mbetje toksike, ministrja tha se vetëm pas përgjigjes se analizave në tre laboratorë ndërkombëtarë në Zvicër dhe Belgjikë, do dihet se çfarë ato janë.
Luan Baçi: Mbetje të dyshuara të rrezikshme, këtu mbyllet historia kaq.
Mirela Kumbaro: Unë e kuptoj hallin që ka opozita që nuk di se me çfarë të bëjë politikë se i ka mbaruar politika, i ka ngelur në majë të ballkonit, e mirëkuptoj këtë gjë. Se si është dhe çfarë ka brenda do ta verifikojë Prokuroria dhe do të përcaktohet protokolli në bazë të ligjeve të mjedisit se si do të përpunohen e ku do të shkojnë, kaq është. Kështu që le të qetësohemi pak, të mos nxjerrim dhjamë nga pleshti. E kisha fjalën nga pleshti politik.
Sipas ministres Kumbaro, vendi i depozitimit është në afërsi të Porto Romanos dhe çdo procedurë ndiqet nga Prokuroria e Durrësit.
Mirela Kumbaro: Është identifikuar vendi në zbatim të urdhrit të Prokurorisë ku do të depozitohen kontenierët të cilët janë të dyshuar si mbetje të rrezikshme. Kujdes! Mbetje e rrezikshme do të thotë mbetje toksike, pra të mos abuzojmë me fjalën. Të deklaruara nga subjektet si mall, të cilat janë le të themi nënprodukte metali që mund të përdoren në rikuperimin dhe riciklimin mbetjeve të kësaj tipologjie. Prokuroria do të bëjë punën e vet.
102 kontejnerët e kthyer prej gati dhjetë ditësh në Shqipëri përmbajnë një sasi prej 2100 tonë mbetjesh nënprodukte metali.
Klan News