Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid, i cili mbahet nga 22 deri në 26 Janar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se edhe këtë Janar, Shqipëria turistike e nis vitin me pjesëmarrjen në panairin gjigant të turizmit “Fitur” në Madrid me pjesëmarrjen e 152 shteteve dhe më shumë se 9000 ekspozuesve.
Nën sloganin “Albania, All senses”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacione të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shqiptare.
Shqipëria mori pjesë edhe vitin e kaluar në panairin “Fitur” në Madrid, ku tërhoqi në stendën e saj mijëra vizitorë, të cilët treguan interes për të vizituar vendin tonë.
Rimëkëmbja e Shqipërisë në turizëm është vlerësuar dhe promovuar edhe nga Organizata Botërore e Turizmit duke e përzgjedhur vendin tonë disa herë si qendër të ngjarjeve dhe vëmendjes së industrisë globale të udhëtimeve dhe duke e bërë Shqipërinë kryesuese të Barometrit të Turizmit.
Klan News