Qeveria shqiptare me mbështetjen e Gjermanisë dhe Zvicrës do të investojë 35 milionë Euro për përmirësimin e shërbimit të hidrometeorologjisë përmes krijimit të një sistemi modern të paralajmërimit të hershëm për fenomenet natyrore.

Në prezantimin e këtrij programi, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku theksoi se përveç bazave rregullatore që e afrojnë Shqipërinë me legjislacionin e vendeve të BE-së, në projektet me rëndësi është edhe inovacioni.

“Ky produkt ishte me të vërtetë shumë cilësor dhe mjaft i përafruar me çka ndodh realisht në terren. Ne vendosëm që ta përdorim në të gjitha strukturat dhe infrastrukturat kritike”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro nënvizoi se falë këtij programi do të rritet edhe aksesi i qytetarëve tek informacioni për ngjarjet natyrore.

“Synon krijimin dhe operacionalizimin 24 orë në 7 ditë të një sistemi modern të paralajmërimit të hershëm, i cili do të adresojë disa nga risqet”.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes theksoi se programi “ALBAdapt” do të shtrihet në një kohë afatgjatë.

“Është padyshim një hap i ri në të gjitha përpjekjet që bëjmë së bashku me donatorët dhe partnerët tanë përsa i përket rritjes së gatishmërisë dhe kapaciteteve tona të përballemi me emergjencat civile”.

Ky projekt e bën Shqipërinë vendin e parë në rajon që akseson fonde bilaterale nga Fondi i Gjelbër i Klimës.

Tv Klan