Në interpelancën për mbetjet toksike, kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje akuzave të opozitës. Ai tha se Porti i Durrësit është port i sigurtë dhe kjo është përcaktuar nga autoritete europiane përmes inspektimeve dhe certifikimeve.
“Vijmë tek ajo që goja shumë tellallëshe ka marrë të mirëqenë në fillim për tu nxirë shqiptarëve pamjen dhe për tu hequr pinin sipas dëshirës duke thënë që së shpejti mbetjet e dyshuara do vijnë në Shqipëri bashkë me fundin e botës sepse do shpërthejnë bombat me oksid hekuri dhe me pluhur zinku, sepse për sytë me shtatë penxhere dhe për gojën shtatë kanatëshe shteti shqiptar apriori pa asnjë verifikim është në çdo rast fajtor nga koka deri të këmbët, por janë fajtor edhe shqiptarët sepse ata në shumicë e mbajnë në krye me votë një regjim kriminal dhe kjo lidhet me çdo rast papërgjegjshmërie individuale, tentative private për paligjshmëri, apo qoftë me dyshime që lidhen me operatorë të caktuar në treg.
Që të respektoj kohën dua të them edhe këtë, që Shqipëria ka sot në portin e Durrësit një dosje inspektimesh dhe certifikimesh sistematike, rigoroze nga autoritete europiane që e përcaktojnë Portin e Durrësit si një port të sigurtë dhe që e bëjnë Durrësin vendin ku së shpejti do të kemi edhe portin e NATO-s”, tha Rama./tvklan.al