Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Zëdhënësi politik i Partisë Socialiste Gjergji Koja, deklaron se nuk ka asnjë pengesë për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryeministrit Fatos Nano kërkuar nga 35 deputetët e opozitës. Por sipas tij, ligjvënësit socialistë do të marrin një vendim për këtë çështje javën e ardhshme.
Gjergji Koja: “Nuk ka asnjë lloj pengese, çështja është që do të diskutohet të hënën tjetër.”
Ndryshe shprehet anëtari i kryesisë socialiste Luan Rama. Sipas tij, komisioni hetimor nuk ka pse të ngrihet, kur çështja po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme.
Luan Rama: “Nuk është normale që të krijohen komisione parlamentare, kur është investuar prokuroria në çështje të rëndësishme. Pra meqenëse çështja është në hetim, çdo hap tjetër nuk do të bënte asgjë më shumë veçse do të sabotonte punën që ka nisur prokuroria.”
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi të miratojë propozimin e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për prokurimet publike në kryeministri dhe ministri për periudhën kohore nga viti 2002. Komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 pozita dhe 5 opozita dhe afati i hetimit është një muaj.
Pas shumë mungesash në këtë mbledhje ka marrë pjesë dhe ministri i transporteve Spartak Poçi, i cili u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve mbi investimet dhe sigurinë e rrugëve nacionale. Një muaj më parë deputeti Erion Braçe kërkoi dorëheqjen e ministrit Poçi, duke marrë shkas nga aksidenti tragjik mbi 15 të rinjve kosovarë në veri të Shqipërisë./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj