Bashkimi Evropian pret që takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë më 13 Maj për çështjen e dinarit serb, të jetë rasti final për zgjidhje dhe atë në bazë të propozimit të bërë nga i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Kështu tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu referuar takimit të fundit në Bruksel më 25 Prill mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, kur nuk u arrit pajtim për transferimin e fondeve financiare nga Serbia në Kosovë.
“Pasi të dyja palët sqaruan qëndrimet e tyre, lehtësuesi i BE-së paraqiti një propozimi kompromisi për aranzhimet për një zgjidhje të përkohshme. BE-ja u bën thirrje të dyja palëve që të pranojnë këtë propozim dhe mbetet e gatshme të jetë mikpritëse e takimit final, nëse palët angazhohen në mënyrë konstruktive lidhur me propozimin e BE-së”.
Takimi i radhës për këtë temë pritet të jetë pas dy javësh në Bruksel. Propozimi i ri i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.
Stano nuk dha detaje konkrete të propozimit, por tha se Kosova dhe Serbia duhet të japin mendimet e tyre për të në shtatë ditët e ardhshme.
Klan News