Më 15 Janar 2025, në Bruksel, pritet të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për persona të zhdukur.

Kryetari i këtij komisioni Andin Hoti ka bërë të ditur se takimi do të zhvillohet në nivel të zëvendësuesve.

“Në këtë takim, z. Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues Delegacionit të Republikës së Kosovës. Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023.”

Edhe emisari i BE-së për dialogun ka bërë të ditur se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Në një postim në Facebook, Lajçak ka treguar se ditët e para të këtij viti i priti me mision në Shtetet e Bashkuara, ku është njoftuar me zyrtarë të lartë të shtetit, me të cilët ka diskutuar për nevojën për avancim në dialog.

“Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin O’Brien dhe Zv,ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. U fokusuam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit.”

Në takimin trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, më 17 Dhjetor palët janë pajtuar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit.

Tv Klan