Ditën e sotme u bë publik lajmi se Shqipëria do të hapë më 15 Tetor në Luksemburg diskutimin e kapitujve të parë të negociatave me BE-në, për çështjet themelore. Lidhur me këtë çështje në studion e Klan News, deputetja demokrate njëherësh Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku u shpreh se hapja e negociatave nuk është absolutisht aspak meritë e qevrisë, por është një proces teknik.

Jorida Tabaku: Së pari unë besoj se nuk ka vend për triumfalizëm nga ana e qverisë për diçka që duhet të ndodhte vite më parë. Shqipëria në vitin 2013 ishte gati për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat. Jemi rasti ekzemplar në të gjithë vendet e rajonit dhe në historinë e gjatë të procesit të integrimit ku për 10 vite Shqipëria nuk pati asnjë avancim. Së dyti ky moment ishte gati për tu realizuar brenda tre vitesh. Hapja e negociatave nuk është absolutisht asnjë meritë, është një proces teknik. Nesër ka një mbledhje të komisionit të çështjeve Europiane. Qeveria do të prezantojë pozicionin negociues që do të çojë atje në Bruksel.

Ndër të tjera Tabaku gjatë bisedës në studio u shpreh se çdo arritje e madhe në procesin e integrimit është bërë nga Partia Demokratike. Deputetja tha se edhe për opozitën është përfituese që të përparohet në këtë proces.

Jorida Tabaku: Ky është një proces kryekëput teknik që u bllokua për arsye politike. U bllokua si rezultat i kontestimit të zgjedhjeve në Himarë, ku një nga vendet e Bashkimit Europian, në këtë rast Greqia e bllokoi procesin. Për mua kjo ishte e padrejtë sepse Shqipëria në këtë rast, qeverisë nuk i interesonte, por këtu humbnin qytetarët dhe qytetarët boll kanë humbur kohë dhe ju jeni të ndërgjegjshëm që çdo arritje e madhe në procesin e integrimit është bërë dhe është arritur nga Partia Demokratike.

Së pari njëherë secili dhe kushdo që është në pushtet jep një kontribut të vogël. Rasti ka ndodhur që në këto vite ne kemi qenë me një pengesë shumë të madhe. Por pse mendoj unë që edhe për opozitën është përfituese që të lëvizim në këtë proces. Së pari numri i qytetarëve që largohen është dramatik që do të thotë që ai ndryshimi këtu nuk po vjen dhe unë e konsideroj procesin e integrimit me të vërtetë si një mjet të jasHtëzakonshëm për ndryshim. Unë nuk mendoj që do të hapen negociatat dhe do të mbyllen kufinjtë dhe do të ndodh një mrekulli këtu brenda, por unë mendoj që do të jetë një motivim i brendshëm së pari për ta ndaluar qeverinë nga vendime autoritare, së dyti për të pasur më shumë kontroll mbi institucione dhe së treti për të pasur një raportim periodik i cili sot nuk ndodh.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE ne muajin Korrik të vitit 2022 ndërkohë që ka përmbyllur me sukses procesin ‘screening’. Qeveria shqiptare synon që brenda dy viteve në vijim të ketë realizuar disa konferenca ndërqeveritare me objektiv strategjik anëtarësimin e vendit në BE brenda vitit 2030.

/tvklan.al