Hueyda El Saied ishte e njohur për natyrën e saj karizmatike. Artistja multidimensionale, e cila këtë të martë u nda nga jeta, ka qenë e ftuar herë pas here në emisionet në ekranin e Tv Klan.
Në një nga daljet në emisionin “Rudina”, ajo ka qenë prezente në studio bashkë me djalin e saj, Gabrielin.
Gjatë intervistës, Hueyda përveç të qeshurave që shkaktonte në sallë gjatë bashkëbisedimit me të birin, ndau edhe një moment moment mjaft prekës me të, referuar divorcit.
Hueyda El Saied: Për hir të së vërtetës, unë e mbroj shumë Gabrielin, edhe për vetë situatën që kemi përjetuar së bashku, unë e mbroj dhe kam vendosur edhe diçka tjetër, që mos t’i them vetëm “jo, mos e bëj këtë”. Dua që t’ia shpjegoj pse nuk duhet ta bëjë këtë gjë, kur bën një gabim ia shpjegoj. Mund të konsiderohem mama liberale, por ka raste edhe që e ngre zërin, i bërtas. Sigurisht që edhe e kam llastuar shumë, e kam mbrojtur më shumë seç duhet, siç thonë të tjerët, por që Gabrieli ka qenë nga personat e parë që më fshinte lotët kur qaja nga situata që u krijua para dy vjetësh.
Rudina Magjistari: Po më tregoje ai momenti, ishte prekës kur po më tregoje që të ka fshirë lotët Gabrieli, kur ke qenë e trishtuar.
Hueyda El Saied: Ndoshta edhe kjo është ndierë, përveç faktit që është im bir dhe unë do të jem gjithnjë fansja e do ta mbroj në çdo moment, ka qenë i pari që ka përjetuar dhimbjen tonë në fakt dhe vinte aty e më thoshte: ”Mami mos qaj” dhe më fshinte lotët dhe aty unë qaja akoma më shumë sepse një fëmijë dy vjeç nuk ka të drejtë që të fshijë lotët e mamasë së tij./tvklan.al