Drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paralajmëruan se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe vendimet e saj dhe e cilësuan atë si “raciste dhe të njëanshme”.
Reagimi i tyre, të enjten në një konferencë për media në Prishtinë, erdhi pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, tha se vendimet e gjykatës janë të papranueshme dhe se ligji për këtë gjykatë i miratuar në Kuvendin e Kosovës duhet të ndryshohet.
“Ngritja e kësaj aktakuze është bërë me qëllim të caktuar, sidomos për të penguar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Organizata e Veteranëve të Luftës do t’i përdorë të gjitha format demokratike në kundërshtim të kësaj gjykate, duke mos përjashtuar edhe protestat, nëse e shohim ne se është si formë presioni ndaj Kuvendit të Kosovës për të vepruar”, tha Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se Gjykata Speciale është “gjykatë raciste dhe e njëanshme”.
“Kjo gjykatë është dashur të ndjekë edhe ata persona që jetojnë në Kosovë, sidomos serbët që kanë kryer krime lufte, që jetojnë të lirë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok apo edhe në vende të tjera”, tha Gucati.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Gucati ka thënë se vendimi për të paraqitur aktakuzën në këtë kohë është bërë “për të kënaqur disa persona shqipfolës dhe Serbinë, si dhe për të gjunjëzuar Thaçin dhe Veselin”.
Gucati nuk ka dhënë më shumë detaje se për kë e ka fjalën kur përmend “personat shqipfolës”. /REL