Sot në “Rudina” në Tv Klan u diskutua për ngjarjen makabre e ndodhur dje në qytetin e Fierit ku një 8 -vjeçar u rrëmbye dhe u vra nga 38-vjeçari Klodian Çalamani. Mateo Vasiu ishte duke lëvizur me një biçikletë në zonën ku banonte kur ai është marrë nga fqinji i tij dhe është goditur në kokë e më pas është groposur në baltë në oborr. Nëna e Mateos e ka kërkuar djalin e saj deri rreth orës 15:30 kur më pas ka lajmëruar policinë. Të ftuarit, gGazetarja Mirela Milori dhe Altin Hazizaj, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, (CRCA), komentuan ngjarjen e rëndë.
Mirela Milori: Kjo vlen për t’u parë nga psikologët të cilët e kanë pasur edhe gjatë kohës që ai ka vuajtur dënimin në burg. Vjen nga një familje e traumatizuar, nëna larguar në Maqedoni pasi është ndarë nga i ati. Ka marrë vetëm motrën e tij nga martesa e dytë dhe këtë e ka kthyer. I ati i ka vdekur dhe një vëlla është në burg në Greqi. Ky është rritur rrugëve. Është një fëmijë i vetërritur, por me një sfond mungese dashurie.
Rudina Magjistari: Ka qenë agresiv kryesisht me fëmijët, si shpjegohet diçka e tillë?
Altin Hazizaj: Është mirë të rrimë të presim derisa të dalin fakte që duhet të dalin nga vetë prokurori. Të afërmit e tij dhe kryesisht fqinjët kanë ndarë disa fakte të jetës së autorit. Ajo çfarë unë mendoj është që personi mund të ketë një histori të hidhur që në fëmijërinë e tij. Fakti që ka pasur një tendencë me një vajzë 16-vjeçare, më bën të dyshoj që jetesa e tij që në fëmijëri nuk ka qenë ajo që duhet të jetë. Mbi të gjitha, një krim ka nevojë për një motiv. Dhe motivi nuk mund të jetë ai që më shau, ndërkohë që fëmija ka luajtur, ai hynte në atë shtëpi, që do të thotë edhe një sharje që ka bërë fëmija nuk të mbush mendjen që është në shkak i vërtetë, një motiv i vërtetë, për të kryer veprën penale./tvklan.al