Mes liderëve botërorë që kanë marrë pjesë në Samitin e Klimës në Baku në Azerbajxhan janë edhe ata evropianë. Mes tyre ishte edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila u shpreh se Italia do të bëjë pjesën e saj, por për të mbrojtur mjedisin duhet një qasje e kujdesshme.

Giorgia Meloni, Kryeministre e Italisë: Një qasje që është shumë ideologjike dhe jo pragmatike për këtë çështje rrezikon të na largojë nga rruga e suksesit. Ne kemi nevojë për një përdorim të ekuilibruar të energjisë për të përmirësuar procesin e tranzicionit. Ne duhet të përdorim të gjitha teknologjitë e disponueshme: jo vetëm burimet e rinovueshme.

Ndërsa për kryeministrin e shtetit grek Kiriakos Mitostakis politikat duhet të fokusohen tek e tashmja dhe jo vetëm e ardhmja.

Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë: Në gjithë Evropën dhe në mbarë botën qytetarët tanë përballen me ngjarje të paprecedente klimatike, ne kemi nevojë për më shumë burime për t’u përgatitur, për t’u përgjigjur në kohë, për të shpëtuar jetë dhe për të ndihmuar njerëzit dhe komunitetet të rimëkëmben pas katastrofave. Ne nuk mund të fokusohemi shumë në vitin 2050 dhe të harrojmë 2024-n”.

Duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara i dërguari i Uashingtonit për klimën, John Podesta tha se pasojat e mosveprimeve janë tashmë të qarta.

John Podesta, i dërguari i SHBA-së për klimën: Pasojat e një planeti që ngrohet me shpejtësi janë kudo rreth nesh. Nga qindra viktima nga uraganet Helene dhe Milton në Shtetet e Bashkuara e deri te miliona fëmijë në rrezik nga uria në Afrikën jugore nga thatësira më e keqe në dekada, te shiu i rrëmbyeshëm që bllokoi studentët dhe shkollat ​​dhe zhvendosi afro 100,000 njerëz në Kolumbi.

Presidenti Joe Biden zgjodhi të mos merrte pjesë në këtë samit, ashtu si edhe shumë të tjerë.

Klan News