Një 35-vjeçare nga Azerbajxhani është arrestuar në Tiranë. Ajo rekrutonte shtetase të huaja, të cilat më pas i shfrytëzonte për prostitucion në kryeqytet.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e trafiqeve të paligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Escort”. Në kuadër të këtij operacioni: u arrestua shtetasja A. H., 35 vjeçe, nga Azerbajxhani, banuese në Gjeorgji dhe Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzimi i prostitucioni” dhe “Prostitucioni””, njoftoi policia.
Në lidhje me ngjarjen janë proceduar penalisht 5 vajza të tjera të huaja, si dhe një 51-vjeçar nga Tirana.
Shtetasja nga Azerbajxhani i rekrutonte vajzat e huaja nga Turqia dhe Azerbajxhani. Më pas duke përdorur një faqe online i shfrytëzonte për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, autorja e dyshuar me anë të fotove të publikuara në këtë faqe, ushtronte presion ndaj tyre./tvklan.al