Rreth dy muaj ka zgjatur pritja e Redon Xhixhës për të festuar golin në Azerbajxhan. Futbollisti shqiptar u aktivizua nga stoli në triumfin 5-0 të Qarabak, por i mjaftuan 7 minuta për të gjetur rrjetën ndaj Sumqayit. I shërbyer në zemër të mbrojtjes kundërshtare, Xhixha e kishte të lehtë për të shënuar.

Një gol që vulosi shifrat momentale në 4-0, teksa ishte i treti në kampionat dhe i katërti në këtë sezon. Konkurenca është e madhe te Qarabak, duke minimizuar minutat e ish-lojtarit të Tiranës në Superligën shqiptare.

Gjithsesi në ato pak paraqitje, kryesisht nga stoli, Xhixha ka lënë gjurmë për të qenë edhe mes golashënuesve të klubit azer. Me një kontratë që skadon në verën e vitit 2026, Xhixha pritet të jap kontributin e tij për Qarabakun, teksa nuk përjashtohet edhe mundësia e një largimi për të pasur vazhdimësinë në një tjetër skuadër.

Forma e tij mund ta ndihmojë për tu rikthyer sërish në kombëtaren shqiptare, paraqitje të cilën për herë të fundit e ka bërë në vitin 2022. 

Klan News