Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vendosur që Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ta kryejë dënimin në burgun e Fierit. Vendimi është marrë ditën e sotme.
Siç ka mësuar gazetarja Glidona Daci, Tahiri do të qëndrojë vetëm në qeli. Burime nga “Burgjet” kanë thënë se Tahiri, gjatë intervistës së sigurisë nuk ka pasur asnjë lloj pretendimi apo kërkesë se ku duhet të qëndronte.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kreu një vlerësim të rrezikut para se të vendosnin për transferimin e ish-ministrit. Kjo, për të evituar dërgimin e tij në ambiente ku qëndrojnë individë që për shkak të detyrës që ka mbajtur, mund të konsiderohen rrezik për të.
Tahiri ishte sistemuar që prej datës 4 Shkurt në burgun 313 në Tiranë. Ish-ministri i Brendshëm është dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.
Avokati Maksim Haxhia ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë ku do të kërkojë pafajësi, ndërkohë Kodi i Procedurës Penale i lejon ish-ministrit të kërkojë edhe shtyrje të ekzekutimit të këtij dënimi nëse plotëson disa nga kushtet e përcaktuara.
Ndërkohë për Jaeld Çelën, i dënuar gjithashtu për të njëjtën çështje, nuk është marrë ende asnjë vendim. Të gjitha gjasat sipas burimeve janë që edhe ai të dërgohet në burgun e Fierit. /tvklan.al