Në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, në Katedralen Ngjallja e Krishtit në Korçë u mbajt gjatë mëngjesit shërbesa e përshpirtjes.
Dhjetëra besimtarë u lutën për prehjen e shpirtit të Kryepeshkopit Anastas. Besimtarët kanë vlerësuar kontributin e çmuar të Janullatos, i cili ringriti nga themelet Kishën Ortodokse Shqiptare.
Në mungesë të mitropolitit të Korçēs, imzot Joanit, i cili u caktua nga Sinodi i Shenjtë kujdestar i fronit të Kryepeshkopit, shërbesa u mbajt nga një tjetër klerik.
Në përfundim të meshës së përshpirtjes, në të gjitha kishat e Korçës ranë për disa minuta këmbanat.
Dhjetëra besimtarë janë falur pranë fotos së Kryepeshkopit Anastas edhe në Fier. Në Kishën e Shën Gjergjit, mesha tradicionale e të dielës ka qenë njëherazi dhe një homazh për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Në fjalën e tij, At Dhimitri ka vlerësuar veprën e Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ringritjen e shumë kishave e manastireve ortodokse në mbarë vendin dhe në Myzeqe, përfshirë edhe Kishën e Shën Gjergjit.
“Është bërë mesha e zakonshme, por në kujtim të Kryepeskopit Anastas bashkë me shërbesën e përkujtimores që shpirti i tij të prehet në paqe në parajsë”, u shpreh At Dhimitri.
Paraditen e së dielës edhe në Kishën e Shën Kollit në Elbasan u mbajt mesha e përshpirtjes për kryepeshkopin e ndjerë.
Anastas Janullatos u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës në moshën 95-vjeçare në Athinë dhe ceremonia e varrimit pritet të bëhet ditën e enjte më 30 Janar në orën 11:00 në Tiranë.
Klan News