Ka nisur këtë të hënë në Berlin, Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “ITB Berlin 2025” ku Shqipëria mban titullin si vendi mikpritës.
Për tre ditë, 170 vende nga bota dhe 5800 ekspozues do të prezantojnë vendin e tyre, ku njëjtë si vjet edhe Shqipëria do të rrëfejë Shqipërinë në sytë e botës, me gjithë kulturën, traditën, historinë dhe bukuritë natyrore.
Në ceremoninë e hapjes mbajti fjalën e tij vetë kryeministri Edi Rama, i cili tha se shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.
“Nëse doni të dini se si është të ndihesh si Perëndi, ejani në Shqipëri”, tha shefi i qeverisë në fjalën e tij.
Rama theksoi se Shqipëria nuk është më një perlë e fshehur e Europës, por po shndërrohet në një fuqi turistike.
“Nuk jemi më një perlë e fshehur, por po shndërrohemi në një fuqi turistike dalëngadalë, ku matemi me të ardhurat për frymë. Rritja ka shënuar 80% vetëm gjatë 5 viteve të fundit. Shqipëria është një yll në ngjitje që po ngërthen vëmendjen e botës. Është fillimi sepse presim me padurim që të kemi një të ardhme edhe më të ndritshme ekonomike, një rritje të qëndrueshme jo vetëm nga të qenit tërheqës, por edhe nga roli ynë si model i turizmit miqësor, ekologjik dhe eksperiencat luksoze”, tha Rama.
Drejtuesit e panairit, por edhe të organizmave më të mëdha dhe të rëndësishme të turizmit në botë vlerësuan zhvillimin turistik që ka pësuar Shqipëria në vitet e fundit.
“Shqipëria po përjeton një zgjim të madh të turizmit dhe të bëhet destinacion madhor dhe jo vetëm, ekskluzivisht për pushimet verore të të huajve. Shqipëria po e kupton siç duhet këtë. Dy vjet më parë Lumi Vjosa u shndërrua në park kombëtar të lumit të egër në Europë, si trashëgimi kulturore, është gjetje e duhur për të rritur turizmin dhe ka përjetuar rritje prej atëherë”, tha Julia Simpson, Presidente (CEO) e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit.
Tv Klan