Leo Messi është rikthyer me gol, pas pushimeve dimërore. Argjentinasi shënoi në miqësoren e Inter Miami ndaj meksikanëve të Club America, sfidë e cila në kohën e rregullt u mbyll 2-2, ndërsa pas penalltive triumfoi ekipi amerikan.

Në minutën e 34-t, Messi ishte protagonist, duke barazuar përkohësisht rezultatin në 1-1. Pas një krosimi të Suarez, argjentinasi nuk e kishte të vështirë për të shënuar me kokë.

Megjithatë vëmendjen e mori festimi i tij. Messi nuk u kursye ndaj tifozëve meksikanë në stadium, të cilët e vërshëllyen gjatë gjithë kohës.

Pas golit, 37-vjeçari u kthye nga tifozët duke bërë me shenjë numrin 3, referuar Botërorëve të fituar nga Argjentina. Ai bëri dhe numrin 0, këtë herë për Meksikën, që nuk e ka fituar asnjëherë Kupën e Botës.

Kaq mjaftoi që në rrjetet sociale të shpërthejnë polemikat dhe të nisin përplasjet virtuale mes tifozëve. /tvklan.al