Trajneri i Interit, Simone Inzaghi u shfaq shumë i lumtur për fitoren e skuadrës së tij ndaj Fiorentinës me rezultatin 2-1.

Pas ndeshjes, tekniku zikaltër tha se lojtarët e tij e interpretuan shumë mirë ndeshjen. Ai u ndal edhe te polemikat për gjykimin, duke thënë se penalltia e akorduar për miqtë nuk ishte, duke shtuar më tej se VAR-i nuk duhej të kishte ndërhyrë.

“Të bashkuar fituam një ndeshje të rëndësishme. Jemi përpjekur të rikuperohemi në ditët e fundit, të punojmë fort dhe të mos i kushtonim vëmendje asaj që njerëzit thanë për ne. Lojtarët treguan vendosmëri. Nuk ishte e lehtë, sepse Fiorentina mbrohej në bllok dhe të Enjten na ndëshkuan.

Kaluam në avantazh, por kundërshtari na barazoi me një penallti. Pas golit tonë të dytë, luajtëm me kujdes me kundërsulmet. Kemi bërë një rrugë të gjatë. Ne jemi duke luajtur mirë në Ligën e Kampionëve. Edhe në kampionat po bëjmë mirë, ashtu si skuadrat e tjera. Kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer, siç vërtetohet edhe nga statistikat.

Te Fiorentina ishin të mërzitur, siç isha edhe unë i mërzitur ndaj Leverkusen për një gol të pësuar nga goditja standarde. Penalltia e akorduar nuk ekziston. Nuk duhej dhënë kurrë.

Te rasti i Bastoni-t topi kishte dalë jashtë, por VAR-i nuk mund të ndërhynte. Distanca e Darmian te prekja me dorë ishte 1 metër e gjysmë dhe VAR-i ndërhyri. Për mua është një penallti që nuk ekziston. Gjithashtu mendoj se nuk duhej të ndërhynte VAR-i”, deklaroi Inzaghi.

/tvklan.al