Shpesh diskutohet se nxënësit janë të pamotivuar për të shkuar në shkollë, i ndjekin orët e mësimit me përtesë dhe pa përfshirjen e plotë. Njëkohësisht, të rinjtë e “Gjeneratës Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, e pranojnë se kjo ndodh për shkak të ngarkesës por edhe prej mësuesve.

Ata ndajnë raste kur ndiejnë që ka mësues që ta bëjnë shkollën më të lehtë dhe të motivojnë të shkosh çdo ditë, por ekziston edhe ana tjetër e medaljes kur “mësuesi të bën për psikolog”. I pyetur për të ndarë kufirin mes një mësuesi të mirë dhe jo të mirë, Reivisi bëri dallimet e tij dhe tha se ka raste kur “mësuesit përjetojnë adoleshencën e dytë”.

Reivis: Gjëja fillestare që na vjen ndërmend është një mësues që ka pasion për lëndën e tij, e shpjegon me dashuri, është i gatshëm për ta ndihmuar nxënësin në ato raste që nuk e kupton lëndën, por është edhe një mësues që të jep komoditetin për ta shprehur veten nëklasë, pra të jesh i sinqertë, kur ti ke një problematikë ta thuash haptazi, nëse ti bën një koment pa dashur sepse në fund të ditës e kemi këtë moshën, mësuesi ta mirëkuptojë dhe mos ta marrë që kush je ti që më flet mua kështu dhe një mësues jo ideal mendoj që do të ishte ndoshta një mësues që nuk jep fare lëndë, nuk ka dëshirën për të shpjeguar…

Ardit Gjebrea: Nuk jep fare nuk ekziston se aty është për të dhënë lëndën.

Reivis: Jo, nuk ekziston, e them pa ekzagjerim se edhe nga eksperienca ime 12 vite nxënës vetëm një herë më ka ndodhur, ka mësues që për 9 muaj, vit akademik nuk e kanë prekur një herë shkumësin dhe dërrasën e zezë dhe kur vinte puna kërkonin llogari, si një mësues që ka bërë komplet të kundërtën e kësaj dhe mua më duket pak e çuditshme kjo dhe ta prish komplet terezinë dhe dëshirën për të shkuar në shkollë. Gjithashtu, diçka që nuk më pëlqen te mësuesit është që ndoshta, ju kërkoj ndjesë nëse ofendoj dikë me këtë që do të them tani, por duke  punuar me adoleshentë, disa mësues më duket sikur përjetojnë adoleshencë të dytë dhe i marrin disa gjëra shumë afër zemrës dhe kjo për mua është diçka shumë e shëmtuar.

Ardit Gjebrea: Në ç’kuptim, s’e kuptova?

Reivis: Përjetojnë adoleshencë të dytë në kuptimin e mirëfilltë, ndonjëherë ndihesh sikur nuk po flet me një mësues që është te të 40-at, që ka moshën e prindit tënd apo ndoshta edhe më tepër, por ndihesh sikur po flet me një bashkëmoshatar që do të kapet pas çdo fjale që ti thua dhe që do të të injorojë apo fyejë në momentin e parë./tvklan.al