Përgjatë rubrikës “Gjenerata Alfa” u cek edhe tema se disa mësues nuk vlerësojnë nxënësit në rast se prindërit e tyre nuk u ofrojnë para. Një vajzë që është  ndier e detyruar të pranojë skemën e kurseve për shkak të notës ndan historinë e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Ajo është e pranishme në studio, por ka kërkuar të ruajë anonimatin dhe është vendosur pas një muri ku duket vetëm hija e saj.

Dëshmitarja: Gjithçka nisi në vitin e tretë të gjimnazit ku gjithë zyshat narrin shkas nga provimet e maturës dhe fillojnë të ushtrojnë një lloj trysnie shumë të madhe te nxënësit, te lënda dhe notat. Në vit të tretë, duke qenë se ne duhet të zgjedhim një kurrikulë shkencore ose shoqërore, shumica e mësuesve rrjedhimisht ndërrohen, vijnë mësues të rinj. Mua më qëlloi që zyshat e ekipit shkencor që bëjnë Matematikë, Fizikë ishin edhe shoqe të ngushta. Gjithçka nisi me zyshën e Fizikës. Në tremujorin e parë, unë si nxënëse e 10-ës dhe shumë shoqe të miat, filluam duke marrë nota shumë absurde si të themi 6,7 pa asnjë lloj shpjegimi.

Vajza shton se nuk kryhej asnjë test apo vlerësim, thjesht në sistem shihnin që shfaqeshin nota të  cilat nuk u ishin komunikuar asnjëherë. Kështu, vendosën t’i drejtoheshin për ndihmë mësueses kujdestare.

Dëshmitarja: Shkuam te zysha  kujdestare dhe i treguam problemin tonë që kemi marrë disa nota, nuk na pëlqejnë,  nuk na duken të arsyeshme dhe zysha kujdestare që fillon hedh disa fjalë duke thënë që “pse nuk bëheni 2-3 persona, shkoni në kurs, aty do e kuptoni edhe më mirë mësimin”.

Ardit Gjebrea: Dhe?

Dëshmitarja: I thamë në fillim që thjesht do ta shikojmë, do ta bisedojmë dhe po prisnim njëherë se nuk është se kishim edhe shumë mundësi, domethënë ndoshta dikush tjetër edhe mund të kishte mundësi t’i ndiqte kurset, dikush si puna ime nuk është se kishim mundësi ekonomike që të vazhdoja një kurs.

Ardit Gjebrea: Sa kushtonin këto kurse?

Dëshmitarja: Disa lëndë e kanë 10 mijë lekë orën, disa e kanë 15, por nëse ti do ta bësh individuale,  paguaje 20 mijë lekë të vjetra për orë.

Mësuesja kujdestare nisi të ndiqte metodën e koleges së saj duke u dhënë ushtrime të vështira olimpiade e më pas duke i nxitur që të ndiqnin kursin. Presioni e detyroi vajzën që pavarësisht mundësive ekonomike, ta ndiqte kursin.

Dëshmitarja: Gjatë kohës kur unë shkoja te kursi i zyshës së Matematikës, më thotë një ditë pas mësimit të kursit që “shihe, pse nuk shkon te kursi i zyshës së Fizikës, është më mirë të bësh mëism nga zysha jote, do e marrësh edhe notën më lehtë”, ta thotë shumë troç. Unë për momentin thjesht i them do ta diskutoj me prindërit dhe do të flas.

Ardit Gjebrea: Fole me prindërit?

Dëshmitarja: Normale që unë e dija edhe vetë gjendjen e prindërve që nuk kishim mundësi për një kurs të dytë, mezi përballonim të parin jo më të dytin. Të nesërmen zysha e Matematikës më merr në telefon, “shih se në orën 3 pas mësimit të kam lënë orar te zysha e Fizikës për kursin e Fizikës”.

Ardit Gjebrea: E bëri fakt të kryer?

Dëshmitarja: E bëri fakt të kryer vetë pa qenë nevoja ta vazhdoja unë fjalinë. Nuk kishim çfarë të bënim sepse po mos të shkoja, normale që do të më merrnin me sy të keq, do të bëhesha objekt diskutimi dhe nota do të vazhdonte të më ulej.

Ardit Gjebrea: Por pse nuk shkuat te drejtoresha ti dhe shoqja jote, ose vetëm ti ose mami yt?

Dëshmitarja: Po nuk mund të shkonim dot sepse këto lloj zyshash që kanë këto kurse kanë edhe një lloj lidhjeje të brendshme me drejtoreshën sepse edhe në momentin që zyshat neve na merrnin nga orët e mësimit nëse unë kisha Biologji, Gjeografi Letërsi, më merrnin nga ora e Letërsisë hajde se do të bëjmë kurs Fizike, brenda ambienteve të shkollës, domethënë që në njëfarë mënyre besoj që edhe drejtoresha e dinte, plus edhe kur e shihte që ishim në kafe bashkë, po të shkonim ne nuk kishte asnjë lloj mundësie.

Pas përfundimit të shkollës, vajza ndërpreu edhe kurset. Ajo thotë se në provimet e Maturës Shtetërore doli shumë mirë falë përpjekjeve të saj, e jo kurseve. E pyetur pse vendosi të mos  zbulonte identitetin e saj edhe pse kjo histori ka mbaruar, ajo shprehet se në atë shkollë gjenden ende motra dhe kushërirat e saj./tvklan.al