“Legjislacioni ka qenë i plotë në të gjitha drejtimet”

Presidenti Ilir Meta është skeptik se nisma ligjore e njohur si AntiKÇK mund të jetë efikase në luftën ndaj krimit të organizuar.

Në të parin koment për Operacionet e Forcës së Ligjit, Meta mendon se krimi nuk mund të luftohet me fushata, aq më shumë që legjislacioni i mëparshëm për të nuk ka patur mangësi dhe mund të kishte dhënë rezultate konkrete, nëse kjo betejë do të ishte e përditshme.

Në intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës, kreu i shtetit, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Washington, shprehu sërish kundërshtinë e tij me ndryshimet që socialistët i bënë ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

“Të bësh një ligj mbi Kushtetutën, nuk është gjë tjetër vetëm se një përpjekje për të shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një organizatë partie dhe për të hedhur në erë besueshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë”.

Parashikimet e reja që priten të miratohen në seancën e ardhshme plenare, vendosin nëse Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit për të zgjedhurit në këtë gjykatë brenda 10 ditëve, atëherë ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë betim në formë shkresore dhe ta depozitojnë në institucionin e emërtesës.

Tv Klan