Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, i cili aktualisht mban detyrën e Këshilltarit të Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare është propozuar nga presidenti Meta për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në propozimin drejtuar kuvendit, Meta argumenton se Shaqiri ka integritet të lartë dhe plotëson të gjitha kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion.
“Zoti Shaqiri është një kandidaturë me eksperiencë në drejtimin e institucioneve dhe ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit. Gjatë ushtrimit të detyrave Shaqiri ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe atij ekonomiko-financiar”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve të mazhorancës që paralajmërojnë rrëzimin e këtij propozimi. Në një reagim në rrjetet sociale, të cilin e quan opinion personal, Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja shkruan se kandidatura e Shaqirit, këshilltarit të presidentit, nuk plotëson kriterin bazë, atë të ekspertizës në fushën e financave.
“Kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues. Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave. Mbase z.Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë patur parasysh, kryetari në distancë i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar.
Për sa i takon Komisionit të Ligjeve e shoh realisht të pamundur dritën jeshile për z.Shaqiri. Për të cilin kam respekt për si e ka drejtuar SHISH-in, në kohën kur qeverisnin z. Berisha bashkë me z.Meta.
Neni 20 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Larte të Shtetit përcakton edhe kushtet për t’u zgjedhur në krye të këtij institucioni.
“
Kandidati duhet të ketë arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi; përvojë profesionale në çështje financiare; ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet; te gëzoje integritet të lartë moral dhe profesional; dhe te mos jete dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë’.
Pikërisht germës B të këtij neni i referohet Ulsi Manja kur flet për mosplotësim të kushteve, pasi zoti Shaqiri sipas tij nuk ka përvoje në çështjet financiare.
Emri i ish kryetarit të SHISH është propozimi i dytë i presidentit për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Emri i parë që iu çua kuvendit ishte ai i Vitore Tushës, i cili u hodh poshtë nga shumica në kuvend, për shkak të zgjedhjes se saj si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Tv Klan