Presidenti Ilir Meta në një rrëfim të rrallë në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë Blendi Fevziut ka treguar detaje nga lëvizja e Dhjetorit të vitit 1990.

Meta ka treguar se në ditët e para të demokracisë ka mbrojtur Gramoz Pashkon lidhur me intervistën që ai kishte dhënë për “Zërin e Amerikës” dhe kishte bërë kritika të forta për regjimin.

Blendi Fevziu: Pati kontenstim ndaj regjimit komunist.

Presidenti Ilir Meta: Po, patjetër. Krijoi një përshtypje të fortë dhe disa…

Blendi Fevziu: Si e mbrojtët ju Gramoz Pashkon? Ju ishit student, ndërsa Gramoz Pashkoja profesor. Në çfarë konteksti?

Presidenti Ilir Meta: Po, unë isha student dhe një nga sekretarët e Komitetit Qendror në atë kohë dhe disa eksponentë të tjerë të Komitetit Qendror erdhën dhe bënë një takim, si rastësisht në Fakultetin e Ekonomisë, ku kuptohet se të gjitha insinuatat apo shigjetat ishin kundër profesor Pashkos për arsye se ai kishte dhënë një intervistë te “Zëri i Amerikës” dhe kishte bërë kritika mjaft të forta.

Blendi Fevziu: Ju e njihnit personalisht apo vetëm si Sekretar Rinie?

Presidenti Ilir Meta: E njihja si pedagog, por ai nuk më kishte dhënë mua mësim deri në atë kohë.

Ishte një figurë simpatike për studentët në përgjithësi, sepse ishte një pedagog interesant, ishte liberal dhe erudit. Por më e rëndësishme ishte ajo që ne kishim dëgjuar prej tij, kritikat për vetë sistemin, për papunësinë dhe probleme të tjera.

Blendi Fevziu: Ishte edhe Pashkoja i pranishëm gjatë mbrojtjes suaj?

Presidenti Ilir Meta: Po, ishte edhe Pashkoja i pranishëm. I pari që u përpoq t’i mbronte idetë e tij ishte profesor Ylli Vejsiu. Mbajti një reagim shumë të ashpër për të frenuar këtë sulm ndaj Pashkos.

Pastaj bëra një ndërhyrje aty paksa si spektakolare që i vuri në një situatë shumë të vështirë, se kishte ndodhur ngjarja e ambasadave dhe unë u them: “Nuk duhet të hezitojmë për të pranuar problemin e papunësisë, sepse ky është një problem real. Ata që ikën, ne i njohim, ishin të papunë. 80% e tyre nuk mund të jetojnë normalisht me 3 mijë apo 4 mijë lekë në muaj. Prandaj i them unëzotërisë që ishte sekretar i Komitetit Qendror…

Blendi Fevziu: Për të përditësuar një njeri sot: 3 apo 4 mijë lekë ishin 3 ose 4 dollarë në muaj.

Presidenti Ilir Meta: Po, ishin pak fare, prandaj unëme ironi ju them: “Këtë problem, pra papunësinë, mund ta zgjidhë Partia. Si mund ta zgjidhë Partia? Partia mund të bëjë një marrëveshje me shtetet e tjera, në mënyrë që këta të papunë, të mund të shkojnë andej dhe nuk kanë përse të hyjnë në ambasada.

Blendi Fevziu: Me siguri kjo ishte një herezi jo e vogël?

Presidenti Ilir Meta: Aty u krijua një situatë shumë e vështirë, sepse të thoje që ta zgjidhë Partia do të thonte për ta që ti ende kishe besim. Që Partia ta zgjidhte në atë mënyrë do të ishte e pamundur, por problemi ishte ky dhe duhet zgjidhur.

Blendi Fevziu: Po vetë Pashkoja, çfarë reagimi pati?

Presidenti Meta: Ai ka qenë në një pozicion paksa të vështirë, por asnjëherë nuk u tërhoq nga pozicioni i tij. Kini parasysh ato ishin testime. Ishin momente për të parë se si ishte raporti i forcave. Deri ku kishte qëndresë./tvklan.al