Michael Cohen, ish avokati i Trump, pranoi se në vitet e kaluara ka gënjyer për të ndihmuar ish-presidentin amerikan dhe në raste të tjera për të mbrojtur familjen e tij. Para jurisë, avokati mbrojtës i tij, Todd Blanche u përpoq ta portretizonte Cohen, dëshmitarin kyç të prokurorisë, si një njeri të cilit nuk mund t’i besohet, se në thelb ai është i pandershëm, mashtrues dhe i dyshimtë.

Në një rast teksa dëshmonte Cohen përmendi gënjeshtrat gjatë një dëshmie para një Komisioni të Kongresit për një projekt të planifikuar të ndërtimit të Kullës Trump në Moskë, që nuk u realizua kurrë. Ai gjithashtu tha se gënjeu një gjykatës federal në një çështje evazioni fiskal, sepse donte të mbronte bashkëshorten e tij, Laura dhe tregoi për gënjeshtra që u kishte thënë në kohë të ndryshme hetuesve që kërkonin të hetonin veprimet e tij dhe të Trump para dhe gjatë presidencës së tij, që zgjati nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Avokati i ish-presidentit amerikan gjithashtu gënjeu kur mohoi se kishte kërkuar falje presidenciale nga ish Presidenti Trump përpara se ai të largohej nga detyra. Michael Cohen është dëshmitari i 19-të dhe i fundit i prokurorisë kundër Trump dhe u paraqit në fund të 4 javëve të dëshmisë në gjyqin e parë penal ndaj një presidenti amerikan.

Në fillim të kësaj jave Cohen deklaroi se Trump kishte miratuar pagesën prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me Trump. Ish-presidenti ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me aktoren Daniels dhe po ashtu është shprehur i pafajshëm për të 34 akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Klan News