Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka konfirmuar se kërkimet për naftë dhe gaz në malin e Shpiragut në Berat kanë rezultuar të suksesshme.
Në një njoftim zyrtar, ky institucion konfirmon se kompania Shell ka zbuluar një rezervë të madhe të arit të zi.
“Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut”, tha MIE.
Gjithashtu ministria bën të ditur se nafta e zbuluar është e një cilësie të lartë.
“Testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi”, tha MIE.
Për rrjedhojë ministria thekson se kërkimet e naftës në Shpirag nuk janë mbyllur dhe kompania Shell nuk është tërhequr nga ky projekt.
“Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme”, tha MIE.
Sipas deklaratës marrëveshja hidrokarbure vijon të mbetet në fuqi dhe se po vijojnë kërkimet për zgjidhjen e duhur teknologjike në mënyrë që të mund të vihet në shfrytëzim kjo pasuri nëntokësore.
Procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut ka nisur me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009 dhe vazhdon punën me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone.
Tv Klan