Trajneri i Milanit, Sergio Conceicao pret reagim nga skuadra e tij. Pas dy humbjeve në kampionat, ndaj Torinos dhe Bolognas, kuqezinjtë presin në shtëpi Lazion.

Një përballje delikate, ku vendasit nuk kanë rrugë tjetër përveç fitores. Tekniku portugez pranoi vështirësitë, ndërsa tha se nga ky moment mund të dalin vetëm me fitore, duke shtuar se ekipi i tij mund të fitojë Kupën e Italisë.  

Conceicao vlerësoi Lazion dhe trajnerin Baroni, duke thënë se ka bërë punë të shkëlqyer deri tani.

“Ne mund të ringrihemi vetëm duke fituar. Është kjo ajo që ne duam tani. E kuptojmë momentin dhe përgjegjësitë që kemi. E dimë se kjo situatë është prej gabimeve tona. Ne kemi fituar një trofe, mund të fitojmë edhe Kupën e Italisë. Janë edhe 12 ndeshje për tu luajtur në kampionat. Këto situata kalohen me punë.

Lojtarët duhet të japin 150%, sepse ndonjëherë 100% nuk mjafton. Felix është shumë i mirë mes linjave. Ndonjëherë nga dëshira e madhe për të pasur topin, shkon në vende që nuk duhet. Ai duhet të jetë vendimtar, i ka cilësitë për të qenë i tillë. Duhet të bëjë diferencën në 30 metrat e fundit.

Nga Lazio kam kujtime të shkëlqyera. Nesër do i kem si kundërshtarë. Do jetë një ndeshje e vështirë. Dua të uroj trajnerin Baroni, për punën e shkëlqyer që ka bërë”, deklaroi Conceicao.

Ndeshja Milan-Lazio do të luhet të Dielën, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al