Laçi dhe Vllaznia barazuan 2-2 mes tyre, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të në Superligë.

Një përballje spektakolare, ku pjesa e parë foli për kurbinasit, ndërsa e dyta për shkodranët.

Myrta i dha avantazhin Laçit në minutën e 11-të, duke shënuar pas një asisti perfekt të marrë nga Tresa.

Ky i fundit ishte autor i golit të dytë në minutën e 26-të, nga pika e penalltisë, e cila u fitua nga Myrta.

Fitorja dukej shumë afër për vendasit, por në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka. Vllaznia u shfaq më kërkuese dhe gjeti golin e parë me Mehdi Çobën në minutën e 56-të.

Alfred Mensah, i ardhur nga stoli, barazoi shifrat në minutën e 64-t, duke i dhënë shpresë miqve për përmbysjen.

Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, me Vllazninë që mbetet në vendin e dytë me 46 pikë, ndërsa Laçi renditet i pesti me 31 pikë. /tvklan.al