Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u shfaq në një intervistë për televizionin amerikan Fox News pas debatit të zjarrtë me Presidentin Donald Trump dhe zëvendësin e tij JD Vance.

Në intervistë, Zelenski pranoi se takimi në Shtëpinë e Bardhë nuk shkoi ashtu siç do të duhej. Megjithatë, ai tha se dëshiron të mbetet mik me Trump.

“Jam shumë mirënjohës ndaj amerikanëve për mbështetjen. Na ndihmuat shumë që prej fillimit për të mbijetuar”, tha ai.

Por i pyetur nëse i detyrohet një falje Presidentit Trump, Zelenski theksoi se nuk mendon se ka bërë ndonjë veprim të gabuar për të kërkuar ndjesë.

“E respektoj Presidentin dhe popullin amerikan. Mendoj se duhet të jemi shumë të hapur dhe shumë të sinqertë. Nuk jam i sigurt që të kemi bërë diçka të keqe. Thjesht dua të jem i sinqertë dhe dua që partnerët tanë ta kuptojnë saktë situatën”, u shpreh Presidenti ukrainas.

Zelenski theksoi se populli ukrainas nuk është vetëm, duke ju referuar mbështetjes nga liderët europianë pas përplasjes së ashpër me Trump.

/tvklan.al