Mesfushori uruguaian, Nicolas Fonseca ka përjetuar momente tmerri dhe ankthi ditën e Enjte. Djali i Daniel Fonseca-s, ish-lojtarit të Juventusit, u rrëmbye në Meksikë, gjatë kohës kur po shkonte në stërvitje.
24-vjeçari është pjesë e Club Leon, ndërsa paraditen e së Enjtes, ishte viktimë e një rrëmbimi dhe grabitjeje.
Persona të paidentifikuar, morën peng mesfushorin në makinën e tij. Pas dy orëve, Fonseca u lirua, duke u lënë i braktisur në një vend të pabanuar, rreth 25 km larg vendit ku u rrëmbye.

Për fat të mirë, lojtari nuk ka marrë dëmtime, ndërsa grabitësit i kanë marrë atij të gjitha paratë që kishte me vete, bizhuteritë si dhe makinën me të cilën udhëtonte.
Policia ka nisur punën për të identifikuar dhe arrestuar autorët e kësaj ngjarje. Fonseca u bashkua me Leon vetëm në merkaton e dimrit, nga argjentinasit e River Plate. /tvklan.al