Milani do të ketë një transfertë delikate këtë të Premte, pasi përballet me një nga ekipet më në formë të momentit në Evropë, siç është Atalanta.
Në prag të kësaj përballje, në konferencë për shtyp ka folur trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca.
Tekniku portugez, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se gjithmonë është e vështirë të përballesh me një ekip si Atalanta.
Megjithatë, Fonseca deklaroi se një sukses në Bergamo do e ndihmonte shumë skuadrën e tij për të ardhmen.
“Unë mendoj se nuk ka kurrë një moment të mirë për tu përballur me Atalantën. Ne po rritemi dhe skuadra ka besim. E dimë se na pret një përballje e vështirë. Atalanta numëron tetë fitore në tetë ndeshje, ndërsa kanë shënuar 26 gola dhe kanë pësuar vetëm 4 të tillë. Është një skuadër shumë e fortë dhe ndeshje shumë e vështirë. Megjithatë ne jemi gati dhe do të luajmë me besim në fushë.
Mënyra sesi mbrohemi tani, ka sjellë më sjellë më shumë besim dhe stabilitet në ekip. Më parë kemi pasur probleme në mbrojtje. Tani mendoj se ekipi është më i qetë në mbrojtje. Kjo na jep besim për të sulmuar më shumë.
Ne nuk kemi parë asnjë ekip në Itali që të luajë për një kohë të gjatë kështu si Atalanta. Edhe në Evropë është e vështirë të përballesh me ekipe si Atalanta. Tani po mundohen shumë skuadra që ta luajnë si Atalanta, ndër to Bayern Munich. Gasperini është pikë referimi për mënyrën e kësaj loje.
Është ndeshje e rëndësishme, por jo vendimtare. Mund të sjellë shumë gjëra pozitive për ekipin. Fitorja ndaj Atalantës do na jepte besim për të ardhmen. Në kokën time është vetëm fitorja, nuk mendoj asnjëherë për rezultat tjetër”, u shpreh Fonseca.
Ndeshja Atalanta-Milan, do të luhet këtë të premte, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al