Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kompania e naftës vendase ARMO mund të privatizohet deri në 100% të aksioneve, ndërsa Albtelecom në kufirin maksimal të aksioneve që njeh ligji, 76%. Ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli deklaroi, se qeveria ka marrë një vendim të tillë për të stimuluar privatizimin e këtyre sektorëve strategjik.
Anastas Angjeli: “Qeveria vendosi që të afrojë maksimumin e aksioneve investitori strategjik, pra 76%. Ndërsa për kompaninë ARMO është vendosur sikurse është në ligj që të jetë mbi 51%. Të gjithë aktorët e shoqërisë përfshi edhe format e ekzistencës në KESH apo në letra me vlerë apo në bono privatizimi, natyrisht derisa të jetë përcaktuar marrja deri në 76%, do të ketë edhe vendimmarrje të tjera për të përcaktuar më saktë kuotat deri ku do të mund të merret pjesë, janë të gjithë të hapur, është një proces i gjithi i hapur, ku të gjithë mund të marrin pjesë për pjesën e mbetur”.
Altelecom do të shitet së bashku me licencën e tretë të telefonisë celulare Eagle Mobile. Si ARMO ashtu edhe Albtelecom parashikohet të shitet me tender të hapur ndërkombëtar, i cili pritet të caktohet pas Shtatorit, kohë kur do të përfundojë dhe faza e shprehjes së interesit nga kompanitë e ndryshme botërore.
Sipas ministrit Angjeli, oferta financiare do të jetë decizive për fituesin, pasi do të vlerësohet me 80% të pikëve. Kompanitë e interesuara për të blerë Albtelecomin dhe ARMO-n, duhet të prezantojnë planet e biznesit për menaxhimin e këtyre kompanive në vitet e ardhshme, si dhe duhet të vërtetojnë se nuk kanë probleme financiare./tvklan.al