Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka dhënë dorëheqjen nga qeveria duke thelluar ndarjet mbi planet e kryeministrit Benjamin Netanyahu për luftën në Gaza.
“Për fat të keq, Netanyahu po na pengon të përparojmë drejt fitores së vërtetë, e cila është justifikimi për koston e vazhdueshme dhe të dhimbshme të luftës. Kjo është arsyeja pse ne po largohemi nga qeveria.”
Largimi i Gantz nuk do të përbëjë një kërcënim të menjëhershëm për qeverinë, por mund të ketë një ndikim serioz në vendimet për luftën dhe teksa rritet rreziku i një përshkallëzimi në luftimet me Hezbollahun libanez.
Muajin e kaluar, Gantz i paraqiti Netanyahut një afat për të dalë me një strategji të qartë për Gazën. Netanyahu e hodhi poshtë menjëherë ultimatumin. Largimi i tij do të thotë se Netanyahu do të humbasë mbështetjen e një blloku centrist që ka ndihmuar në zgjerimin e mbështetjes për qeverinë në Izrael dhe jashtë saj, në një kohë të rritjes së presionit diplomatik dhe të brendshëm tetë muaj pas luftës së Gazës. Gantz fillimisht pritej të njoftonte dorëheqjen e tij të shtunën, por e shtyu deklaratën pas shpëtimit të katër pengjeve nga forcat izraelite.
Ndërkaq Sekretari amerikan Antony Blinken kanë nisur turin në Lindjen e Mesme në kuadër të përpjekjeve të tij për të siguruar armëpushim në Gazë. Ai u takua si fillim me presidentin egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, në Kajro përpara se të udhëtojë në Izrael, ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Gjatë javës, diplomati i lartë amerikan do të udhëtojë gjithashtu në Jordani dhe Katar.
Vizita e Blinkenit vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka prezantuar më 31 maj një plan për armëpushim nga Izraeli, i cili përfshin fundin e përhershëm të armiqësive, lirimin e pengjeve izraelite dhe të të burgosurve palestinezë, si dhe rindërtimin e Gazës. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar gjithashtu Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të votojë mbi rezolutën e tij të fundit për një armëpushim në Gaza.
Klan News