Shqipëria mori pjesë për herë të parë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të NATO-s pas firmosje së protokollit për anëtarësim me 9 korrik. Ministri i jashtëm Lulzim Basha bashkë me homologun kroat u ulën në tryezën e rrumbullakët të 27 vendeve anëtare, ku u diskutua situata në Gjeorgji.

Gjatë fjalës së tij ministri Basha u shpreh pro mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit Gjeorgjian. Si dhe bëri thirrje për respektimin e marrëveshjes së firmosur mes dy palëve me qëllim zgjidhjen e konfliktit pa ndërhyrje ushtarake. Shqipëria u shpreh pro vendimit të Bukureshtit për anëtarësimin e shpejtë të Gjeorgjisë në NATO.

Lulzim Basha: “Qëndrimi zyrtar i Shqipërisë është sigurisht në mbështetje të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Gjeorgjisë, i cili është cenuar nga agresioni rus. Një aspekt tjetër është edhe mbështetja që i dhamë përkushtimit të marrë në Bukuresht për anëtarësimin e plotë të Gjeorgjisë në NATO.”

Kryediplomati shqiptar pati një sërë takimesh me homologët e tij të cilët kanë konfirmuar mbështetjen e tyre ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në aleancë dhe ratifikimin sa më të shpejtë të protokolleve të anëtarësimit.

Lulzim Basha: “Rruga për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë tashmë është krejtësisht e hapur dhe pa pengesa pas firmosje së protokolleve të anëtarësimit. Dhe siç pata rastin të konfirmoj edhe gjatë takimit dhe në pushimet e takimit në takimet që pata me kolegët e mi duke përfshirë sekretaren Rice, ministra të ndryshëm evropian, zotin Kushner, zotin Ferhagen të Holandës, zotin Frattini e shumë e shumë të tjerë. Duket se procesi zoti Miliband, procesi i konfirmimit pra i ratifikimit të këtyre protokolleve nëpërmjet parlamenteve vendase është në rrugë të mbarë dhe pritet të përfundojë sipas parashikimeve tashmë të shprehura dhe nga sekretari i përgjithshëm zoti  Jaap de Hoop Scheffer.”

Ministri Basha hodhi poshtë edhe paralelizmat mes Kosovës dhe Osetisë së Jugut të trumbetuara në mediat ruse dhe ato serbe.

Lulzim Basha: “Fatmirësisht nuk i ka mbetur Shqipërisë të mohojë kategorikisht, pasi është mohuar kategorikisht nga çdo qendër ndërkombëtare nga New Yorku, nga Brukseli nga Uashington. Çdo lloj paralelizmi midis Kosovës dhe situatës në Gjeorgji. Kosova është një shtet i pavarur ndërkombëtar, i njohur tashmë  nga mbi 40 shtete të tjera të planetit.”

Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të anëtarësohen në NATO në samitin e Bukureshtit me 3 prill të vitit 2008. Më 9 korrik vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë, gjë që i hap rrugë anëtarësimit të plotë të vendit tonë në aleancën e Atlantikut të veriut./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj