Gati dy dekada më parë, avionët e NATO-s ishin nisur drejt Jugosllavisë për ta bombarduar për shkak të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka arritur në Serbi. NATO ngelet një nga organizatat më të urryera, por edhe më të besueshme për të qëndruar në Kosovë. Fillimisht është pritur me ceremoni në një ushtrim të mbrojtjes civile. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se bashkëpunimi me NATO është i rëndësishëm.
“Kjo është e vetmja mbrojtje për popullin serb për atë që në e quajmë territor tonin, kurse shqiptarët jo. Iu luta të mos zvogëlohet misioni i KFOR-it pasi është faktor i rëndësishëm dhe në çdo moment, për disa minuta, ne mund të jemi në kontakt me z. Stoltenberg. Kjo për mua është lehtësim për mbrojtjen e serbëve”.
Serbia, pikërisht për shkak të së shkuarës së hidhur me NATO-n është neutrale ushtarakisht. Stoltenberg u ka shprehur ngushëllime dhe keqardhje familjeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit.
“I shpreh ngushëllimet e mija të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. E shkuara nuk duhet harruar, por duhet ndërtuar e ardhmja. Këtë po mundohemi t’a bëjmë edhe me Serbinë. NATO në Ballkan dëshiron siguri për të gjithë”.
Stoltenberg do të jetë pjesë edhe e një forumi bashkë me presidentin Vuçiç. Ai është fokusuar edhe tek Maqedonia, për të cilën ka thënë se nuk ka plan B, por mund të jetë në aleancë në momentin e përfundimit të problemit të emrit.
Tv Klan