Ministri i Drejtësisë së Italisë, Carlo Nordio ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë ditën e sotme, gjatë së cilës është takuar me homologun e tij, Ulsi Manja. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Manja ka theksuar se kanë rënë dakord për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin në fushën e drejtësisë.

Ulsi Manja: Rikonfimuam marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, kjo e konfirmuar dhe nga kryeministrat tanë. Në nivel ministror, pas vizitës time zyrtare në Romë në Nëntor 2023, sot kam në Tiranë mikun tim, Ministrin e Drejtësisë si konfirmim i miqësisë tonë dhe bashkëpunimit të shkëlqyer në fushën e drejtësisë.

Konfirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushat kyçe të drejtësisë, që shpreh vullnetin mes 2 qeverive dhe forcon marrëdhëniet mes 2 vendeve, sfidën për sundimin e ligjit. Vendosëm t’i japim përparësi ndihmës juridike në luftën kundër krimit të organizuar, kundër pastrimit të kapitaleve të paligjshme, në luftën kundër trafikimit të qenive njerëzore dhe drogës.  

Ramë dakord të fillojmë bisedimet në lidhje me paraqitjen e një instrumenti për njohjen recpiroke të masave kufizuese të lirive personale të ngjashëm me urdhër-arrestin evropian që mund të zëvendësojë atë të ekstradimit dhe si kriter i parashikuar për procesin e integrimit në BE. Mes 2 ministrive tona ka një skuadër të përbashkët që punon për të çuar para bashkëpunimin në fushën e drejtësisë. Italia vazhdon të jetë një nga kontributorët në luftën kundër krimit të organizuar.

Ne, së bashku me ministrin kemi vullnetin politik të qartë që buron dhe nga marrëdhëniet mes 2 qeverive tona për të çuar para bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe ju takon stafeve për të zbatuar ato pika për të cilat jemi dakordësuar sot për t’i çuar para.

Deklaratën e ministrit Manja e konfirmoi dhe homologu i tij italian, Nordio gjatë fjalës së tij për shtyp.

Carlo Nordio: Ne jemi të bindur se miqësia e 2 popujve tanë është një element i rëndësishëm i bashkëpunimit. Kemi vendosur të bashkëpunojmë dhe më tej dhe të kemi bashkëpunim të vazhdueshëm për të pasur një bashkëpunim në terma shumë të shpejtë. Dua të theksoj dhe bashkëpunimin e mëtejshëm që ka të bëjë me bashkëpunimin mes 2 vendeve. 


/tvklan.al