Sipas kryeministrit Edi Rama, institucionet e drejtësisë sot janë krejtësisht të pavarura, por “abuzimi me këtë pushtet” është real. Duke treguar edhe një rast konkret, ai thotë se janë intimiduar shumë njerëz gjatë procesit hetimor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Më tej, ngre pikëpyetje sa i takon mënyrës si bëhet puna në Prokurorinë e Posaçme, duke marrë parasysh fondet e mëdha që ka marrë. Për këtë iu drejtua ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja.
“Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp, mua! Kur kam menduar që sot jam kryeministër dhe ndihem i pafuqishëm karshi një rasti, personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak më i prapë se ai, se nuk u shokova psikologjikisht kur më morën dhe më çuan aty… Jo po këtu, jo po familja, jo po nderi…Ndërkohë që ma thoni dot ju mua një person? Nuk figuron ai, është një person që nuk e di për çfarë është thirrur madje për arsye të aktiviteteve kulturore, mund të më thoni si mund të merret në rrugë një baba që po çon fëmijën me karrocë?! Hajde me ne, ku jemi këtu ne?! I vetmi lajm ngushëllues është se pavarësia është e plotë, por këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund t’i tregohet dikujt nga dritarja, e shikon atë godinën atje? Nga ta dijë ai? Është profesor, njeri arti, njeri që ka nderuar Shqipërinë. Atje mund të përfundosh, është burgu ai… Mendo për djalin 3 vjeç...
Ku jemi këtu ne?! Si ka mundësi, Ulsi, ministri i Drejtësisë dhe gjithë ju njerëzit e drejtësisë këtu?! Edhe ti kryetari i Komisionit të Financave, që kjo forcë qeverisëse ka miratuar fonde… Dy fonde komplet jashtë trajektores normale, ai i mbrojtjes dhe drejtësisë. Paga që nuk krahasohen me të askujt këtu, fonde që s’janë parë kurrë në histori dhe këta nuk kanë akoma mjetet për të regjistruar intervistat që marrin në pyetje. Në fund u japin një copë letër, dhe janë akoma te ajo makina daktilografike. Ku jemi këtu ne?!”, tha Rama.
/tvklan.al