Para nënshkrimit të marrëveshjes që do të sjellë Kongresin Botëror të Ligjit Shqipëri 2027 në Tiranë, Kryeministri Edi Rama u prit në një ceremoni të veçantë nga Mbreti Felipe i VI, në Madrid.
Pjesë e ceremonisë së organizuar në pallatin mbretëror Zarzuela ishin edhe anëtarët e bordit të “World Jurist Association”, organizata prestigjioze ndërkombëtare e juristëve, gjyqtarëve, akademikëve dhe profesionistëve të ligjit nga e gjithë bota.
Në rrjetet sociale, kryeministri shpërndau foto nga takimet në Madrid, ku Shqipëria është vlerësuar me organizimin e këtij eventi të madh.
“Kongresi Botëror i Ligjit në vitin 2027 do të mbahet në Tiranë e do të sjellë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës”, shkruan Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama shoqërohet në takim nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, Entela Gjika.
Më herët, kreu i qeverisë e ka cilësuar organizimin e këtij eventi një trofe për Shqipërinë falë reformës në drejtësi.
Kryeministri është i ftuar në ceremoninë e dhënies së Çmimit Universal Spanjoll, një çmim prestigjioz ndërkombëtar që u jepet personave që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në promovimin dhe përmirësimin e kulturës, gjuhës dhe trashëgimisë spanjolle në mbarë botën.
Klan News