Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes konstatojnë, se nga ndonjë media vazhdon keqinformimi i qëllimshëm dhe abuziv në lidhje me marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar mes vendit tonë dhe Greqisë e nënshkruar këtë javë në Tiranë.
Drejtoresha e çështjeve juridike në MJ Ledia Hysi si dhe komandanti i forcës detare Kristaq Gerveni, nëpërmjet hartave kanë sqaruar edhe njëherë në një konferencë të përbashkët për shtyp se kjo marrëveshje nuk cenon aspak hapësirën detare të Shqipërisë.
Hysi theksoi se çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër dhe dashakeqës ndaj interesave tona kombëtare.
Ledia Hysi: “Edhe njëherë informojmë opinion publik, se përcaktimi i koordinatave gjeografike është bërë mbi bazën e sistemi ndërkombëtar gjeodezik WGS84, sistem ky botëror i njohur i koordinatave. Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë, që do të thotë përcaktimi i një vije ndarëse, çdo pikë e të cilës është e baraslarguar nga brigjet e të dyja vendeve. Çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Shqipëria nuk ka dhënë dhe nuk ka marrë asnjë mm2 të hapësirës së saj territoriale si rezultat i përfundimit të kësaj marrëveshje. MB dhe MJ e Shqipërisë denoncojnë edhe gënjeshtrat e publikuara si të orientuara drejt dezinformimit të opinionit publik kundër interesave kombëtare të republikës së Shqipërisë.”
Ndërsa komandanti i forcës detare shtoi, se para përcaktimit të koordinatave kufitare janë kryer të gjitha matjet e nevojshme. Falë dhe teknologjisë së përdorur dhe grupit të ekspertëve këto harta garantojnë saktësi maksimale.
Kristaq Gerveni: “Ne kemi punuar vetëm në hartat shqiptare, hartat greke janë marrë vetëm për tu parë përputhja me hartën italiane, me hartën angleze që të ishim të bindur plotësisht dhe me hartën shqiptare. Sepse ne i kemi brigjet, por ne kemi punuar në hartat shqiptare dhe grekët kanë punuar në hartat e tyre greke. Është bërë ballafaqimi dhe kemi vajtur në diskutimin pikë për pikë dhe derisa kemi rënë dakord për koordinatat, ja ku i keni të gjitha koordinatat këtu dhe unë ju siguroj me cm jo me metra. Me cm nuk ka asnjë shmangie në anën tonë apo në anën e grekut.”
Këto harta tregojnë kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në bazë të përcaktimit të 150 koordinatave, të cilat garantojnë baraslargësi nga pikat më të dala të kufirit tokësor të dy vendeve. Çka sipas MJ dhe asaj të mbrojtjes hedhim poshtë çdo akuzë se si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes për delimintimin e shefit kontinental, hapësira detare e Shqipërisë është tkurrur në favor të Greqisë./tvklan.alGazetar: Fjorald Zguro