Finlanda e ka tashmë një ligj goxha “të rreptë” për armët dhe nuk është tani koha e duhur për të biseduar për ashpërsimin e tij, tha të premten ministrja e Brendshme e Finlandës, Mari Rantanen. Ajo e tha këtë disa ditë pas një sulmi me armë në një shkollë fillore në afërsi të kryeqytetit Helsinki.
Të martën, një djalë 12-vjeçar e qëlloi me armë për vdekje një nxënës moshatar të klasës së gjashtë dhe i plagosi rëndë dy nxënëse, përfshirë një vajzë nga Kosova. Të enjten, Policia finlandeze tha se njëra nga vajzat e plagosura ka nënshtetësi të dyfishtë, kosovare dhe finlandeze. Ajo tha se të dyja vajzat e plagosur rëndë janë duke u mjekuar ende në spital.
Policia tha se 12-vjeçari, i cili është arrestuar, e mori me vete revolen e një të afërmi në shkollën fillore “Viertola” në afërsi të Helsinkit dhe i qëlloi tre nxënës dhe i kërcënoi disa të tjerë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Finlandës, në vend janë lëshuar më shumë se 1.5 milionë licenca të armëve të zjarrit. Rreth 430.000 persona janë të licencuar për armëmbajtje në Finlandën.
Finlanda është në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian me shkallën më të lartë të civilëve që mbajnë armë zjarri për kokë banori, sipas një studimi të vitit 2018, por Rantanen tha se numri i lartë i armëve nuk e bën Finlandën “vend të dhunshëm”.
“Hetimi policor është në fazë fillestare dhe, edhe nëse ata bëjnë përparim të shpejtë, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se tani është koha e duhur për të komentuar nëse ne duhet ta ashpërsojmë ligjin tonë për armët”, tha Rantanen për Reuters./REL