Pas kaosit, Parlamenti malazez gjen konsensusin
Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar pas disa orësh përleshjesh verbale dhe fizike mes depueteve marrëveshjen me qeverinë Rama për ndërtimin e urës se re mbi lumin Bunë.
Ura e gjatë 310 metra do të shkurtojë rrugën nga Plazhi i Madh i Ulqinit deri në Velipojë. Ky projekt do të kushtojë rreth 20 milionë Euro dhe do të bashkëfinancohet nga të dy shtetet fqinje.
Projekti ishte prezantuar nga ish-kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama në muajin qershor të vitit 2022.
Protestat brenda dhe jashtë parlamentit ne qytetin e Cetinjes që i paraprinë miratimit të kësaj marrëveshjeje kishin të bënin me kërkesën e opozitës dhe mbështetësve të saj për largimin nga detyra të kryeparlamentarit pro rus Mandic.
Opozitarët e kanë akuzuar kryeparlamentarin Andrija Mandiç se nuk ka treguar respekt ndaj tyre pasi ka përçuar mesazhe që nxisin përçarjen ndëretnike. Deputetët e partisë ‘Për të ardhmen e Malit të Zi’ bllokuan foltoren e Kuvendit, duke penguar në këtë mënyrë edhe vijimin e seancës.
Edhe jashtë sallës së parlamentit protestues të shumtë kërkonin dorëheqjen e kryeparlamentarit pro rus Andija Mandic. Qytetarët thërrisnin: “Mandiq fashist” ndërkohë që hodhën vezë në drejtim të automjeteve të ministrave.
Klan News