Në rrëfimin e saj për të atin, Mirush Kabashin në “Rudina” në Tv Klan, Mendi ndalet te raporti i tyre si babë e bijë. Mes fotografive të pashfaqura më parë, ajo ndan kujtimet e saj me të, dimensionet e Mirushit dhe si e kishte ndërtuar aktori lidhjen me vajzat e tij. Bisedat e tyre ishin gjithnjë të gjata, të mbushura me eksperiencën e tij të jetës që nuk hezitonte kurrë t’ua përçonte vajzave.
Mendi Kabashi: Mirushi ka ardhur në disa dimensione si baba. Unë për shembull e kisha shok, kishte momente që ai ishte shumë i sertë. Kaloi edhe në faza, ishte shumë kërkues ndaj të dyjave ne. Na ka rritur të dyjave me ndjenjën e përgjegjësisë në moshë shumë të vogël, shumë të re. Ne bënim biseda shumë të gjata bashkë, i kërkonim mendime njëri-tjetrit. Mendimet që kam marrë më për bazë kanë qenë mendimet apo këshillat e tim eti megjithëse duket utopike që të marrësh këshillat e babait sepse vjen një moshë adoleshence ku ti mendon që vetëm prindërit e tu e kanë gabim. Jo, nuk ka qenë kështu sepse unë kam ikur edhe e re, 17 vjeçe dhe ai malli ka qenë konstant nga të dyja anët, si babi për mua, edhe unë për babin e mamin. Në kohën që unë kthehesha, kemi pasur shumë biseda bashkë, shumë kohë për t’i treguar gjëra njëri-tjetrit. Ka qenë vërtet e bukur sepse kishe çfarë dëgjoje, kishte gjithmonë diçka për të thënë, ndante eksperienca nga jeta e tij dhe ajo ka qenë pjesa që merrje shumë për bazë sepse kur të thonë do të mësosh nga gabimet e tjetrit është pikërisht kur ai ndan eksperiencën dhe ai nuk e kishte problem, e ndante.
Por ndryshe nga ai, Mirushi nuk dëshironte që Mendi të bëhej aktore. Ai e pa talentin e saj në gjimnaz kur përgatitej për të recituar një poezi dhe arriti t’i përçonte emocion, por donte që e bija të ndiqte një rrugë tjetër.
Mendi Kabashi: Më vonë më ka thënë mami, tani së fundmi ma ka komentuar edhe mua dhe ai ishte shumë i impresionuar prej teje se nuk i bënte gjëraat e mëdha shumë, ishte fjalëpakë, nuk e shprehte dashurinë me fjalë, e kishte gjithmonë me vepra. Më tha unë nuk dua që ti të vazhdosh për aktrim dhe nuk do të kesh mbështetjen time sepse unë nuk besoj që ajo është rruga e duhur për ty. Nuk dua të bësh kompromise me veten, do humbësh vetveten.
Rudina Magjistari: Pse nuk donte?
Mendi Kabashi: Pikërisht për këtë sepse ai nuk donte që unë të humbja vetveten dhe Akademia mbrapa ka qenë pikërisht për motivin se më shihte mua si të brishtë, të thyeshme në kuptimin shumë e ndjeshme,shumë, tej mase e ndjeshme, unë vazhdoj të jem e ndjeshme por jo në masën që kam qenë dhe Akademia për të ishte gjithmonë ajo pjesa ka qenë mbi të gjitha, përpos faktit që unë mbarova jurisprudencë dhe kishte prestigjin që kishte, do më formonte si karakter, do më forconte si karakter dhe do të më bënte më gati për t’u përballur me këtë botën e ashpër që është sot./tvklan.al