Një ndër misteret më të mëdha të aviacionit botëror vazhdon të mbetet i pazbuluar. Për të ditur se çfarë i ka ndodhur avionit të linjës ajrore “Malaysia Airlines” që u zhduk më 8 Mars të vitit 2014, autoritetet në Malajzi kanë rënë dakord të rinisin kërkimet për këtë ngjarje.
Ministri i Transportit i Malajzisë, Anthony Loke, tha se propozimi për t’iu kthyer hetimeve erdhi nga kompania amerikane eksploruese Ocean Infinity, e cila kishte kryer gjithashtu kërkimet e fundit për avionin në 2018.
“Operacionet e kërkimit pritet të fillojnë sapo të finalizohet kontrata dhe të nënshkruhet nga të dyja palët. Ata na kanë informuar se koha e përshtatshme për të rinisur kërkimet në atë zonë është midis Janarit dhe Prillit.”
Avioni i tipit Boeing 777 mbante në bord 239 persona, që udhëtonin nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit. Qeveritë e Australisë, Malajzisë dhe Kinës ndërprenë kërkimet në Janar të vitit 2017, pasi kontrolluan sipërfaqe të mëdha në Oqeanin Indian, me një kosto prej mbi 150 milionë Dollarë. Zyrtarët deklaruan në atë kohë se ndoshta vendi i përplasjes mund të ishte më afër veriut.
Klan News