Një raketë ruse shkaktoi rrëzimin e avionit Embraer 190 i Azerbajxhanit Airlines që ishte duke u nisur nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku për në Grozny.
Këtë e ka konfirmuar qeveria e Azerbajxhanit bazuar nga shenjat në mbetjet e pjesës së pasme të mjetit fluturues. 29 nga 67 personat në bord mbijetuan.
Sipas mediave ndërkombëtare, raketa u hodh gjatë aktivitetit ajror të dronëve mbi Grozny dhe copëzat goditën pasagjerët dhe ekuipazhin e kabinës ndërsa shpërtheu pranë avionit. Ndër të tjera mediat shkruajnë se avioni i dëmtuar nuk u lejua të ulej në asnjë aeroport rus pavarësisht kërkesave të pilotëve për një ulje emergjente dhe u urdhërua të fluturonte përtej Detit Kaspik drejt Aktau në Kazakistan.
Sipas të dhënave, sistemet e navigimit GPS të avionit u bllokuan përgjatë rrugës së fluturimit mbi det. Raketa u hodh nga një sistem i mbrojtjes ajrore Pantsir-S, raporton gazeta ndërkombëtare me bazë në Baku, AnewZ, duke cituar burime të qeverisë së Azerbajxhanit.
Autoritetet kanë gjetur regjistruesin e të dhënave të fluturimit. Menjëherë pas përplasjes, raportet nga televizioni shtetëror rus thanë se shkaku më i mundshëm ishte një goditje nga një tufë zogjsh si dhe prania e mjegullës.
Ndërkaq qeveria ruse ka reaguar kundër promovimit të hipotezave në lidhje me shkakun e rrëzimit të një avioni pasagjerësh që vrau 38 persona në Kazakistan. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar se do të ishte gabim të parashtrohej ndonjë hipotezë përpara përfundimit të hetimit. Ndërsa Azerbajxhani ka shpallur ditë zie kombëtare për të nderuar viktimat e aksidentit.
Klan News