Për herë të parë në vitin 2016, dhjetëra agjentë dhe staf amerikan me bazë në ambasadën amerikane në Kubë u ankuan për një sërë siptomash neurologjike. Marrje mendsh, gjak nga hundët, zhurma në vesh e dhimbje të forta koke ishin simptomat që morën emrin “Sindroma e Havanës”.
Kjo e fundit u përhap më pas në Kubë, Kinë, Austri e vende të tjera të botës.
Sipas një studimi të ri nga Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) në Shtetet e Bashkuara nuk është gjetur asnjë provë që punonjësit e qeverisë amerikane që ankoheshin për simptoma të tilla të vuajnë nga “anomalitë biologjike”, përfshirë dhe dëmet në tru. Mësohet se në rezonancat magnetike të trurit nuk shfaqen probleme te pacientët.
Agjencia Amerikane e Kërkimit Mjekësor theksoi përmes një deklarate për shtyp se kjo sëmundje është e pashpjegueshme. “Duke përdorur teknika të avancuara të imazhit dhe vlerësime të thella klinike, një ekip kërkimor në Institutin Kombëtar të Shëndetit nuk gjeti asnjë provë të dëmtimit të trurit përmes MRI”, tha NIH në një deklaratë ditën e sotme.
Studiuesit krahasuan rezultatet e rezoncanës së 80 punonjësve të qeverisë amerikane me ato të të afërmve të tyre, të cilët nuk kanë asnjë problem shëndetësor. Përfundimi? Truri i pacientëve me “Sindromën Havana” po aq i shëndetshëm sa i pjesës tjetër.
“Nuk u dallua asnjë anomali”, tha NIH.
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ishte zotuar se do të punonte “pa lodhur” për të trajtuar “Sindromën e Havanës”. Në nëntor të 2021, Sekretari i Shtetit Antony Blinken caktoi dy zyrtarë për të udhëhequr gjithë procesin që kishte të bënte me sindromën e panjohur, rastet e së cilës ishin “prioritet urgjent” për Uashingtonin.
Pavarësisht se shumë akuza u hodhën ndaj rusëve se ata e kishin shkaktuar sëmundjen përmes një baze valësh, vitin e kaluar u arrit në përfundimin se ishte e pamundur që një shtet i huaj të ishte përgjegjës. Dyshimet janë të forta se sindromën mund ta shkaktojë stresi ose faktorët mjedisorë.
Megjithatës, ekspertët gjenden në një moment konfuzioni.
Imazhet neurologjike të individëve të shendëtshëm nuk kanë asnjë diferencë me ata që janë diagnostikuar me këtë sindromë. Ata dyshojnë se pacientët mund të kenë pësuar një goditje në tru, por nuk ka pasur ndryshime neurodegjenerative të tij siç ndodh zakonisht./tvklan.al