Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se është krenar për vendin e tij, për “tre vjet të rezistencës” dhe për “tre vjet të heroizmit absolut të ukrainasve”.

Zelensky e lëshoi këtë deklaratë në ditën kur bëhen tre vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt, 2022.

“Faleminderit për të gjithë ata që e mbrojnë dhe e ndihmojnë Ukrainën. Për të gjithë ata që punojnë për Ukrainën. Dhe, qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për shtetin dhe popullin tonë”, tha Zelensky.

Për të shënuar këtë ditë, ai thirri një samit ndërkombëtar të sigurisë në Kiev.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, që përfshijnë udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, Zelensky bëri thirrje për një shkëmbim masiv të të burgosurve me Rusinë.

Një gjë e tillë, tha ai, do të mund të shërbente si “masë besimi” mes dy vendeve.

Por, ai shprehu gjithashtu dyshime në lidhje me perspektivat e bisedimeve për paqe me Rusinë.

“Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të na dhurojë paqen. Ai nuk do ta shkëmbejë atë me diçka. Ne duhet ta arrijmë paqen përmes forcës, mençurisë dhe unitetit”, tha Zelensky.

“Ne jemi sot në Kiev, sepse Ukraina është Evropë”, tha në anën tjetër presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që është në rrezik. Është fati i Evropës”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Gjatë samitit në Kiev, von der Leyen u zotua për përshpejtimin e dërgesave me armë dhe municione në Ukrainë dhe njoftoi për ndihmën e re në vlerë prej 3.5 miliardë eurosh. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, premtoi 1 miliard euro mbështetje të re ushtarake, ndërkaq kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se Otava do të kontribuojë me mbështetje të re ushtarake dhe do t’ia dhurojë Kievit fondet e ngrira ruse.

Bashkimi Evropian po ashtu njoftoi për një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë dhe von der Leyen tha se Ukraina mund t’i bashkohet bllokut para vitit 2030, nëse shteti vazhdon reformat me ritmin e njëjtë.

“Presidenti Trump e ka ndryshuar bisedën botërore në javët e fundit dhe ka krijuar një mundësi”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes video-lidhjes. “Nëse dëshironi paqe të qëndrueshme, Ukraina duhet të ulet në tavolinë dhe çdo marrëveshje duhet të bazohet në Ukrainën sovrane dhe të mbështetet nga garanci të forta të sigurisë”.

Fituesi i zgjedhjeve në Gjermani dhe kancelari i mundshëm i ardhshëm, Friedrich Merz, e dënoi agresionin rus dhe krimet e luftës.

“Tani më shumë se kurrë, ne duhet ta vendosim Ukrainën në një pozicion fuqie. Për një paqe të drejtë, vendi i sulmuar duhet të jetë pjesë e negociatave të paqes”, shkroi Merz në platformën X.

Shqetësimet në Evropë u rritën pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu gatishmërinë e tij për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë, duke lënë mënjanë Evropën dhe vetë Kievin.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se marrëveshja pa Evropën nuk mund të funksionojë.

“Mund të diskutoni çfarë të doni me Putinin, por nëse bëhet fjalë për Evropën ose Ukrainën, atëherë Ukraina dhe Evropa duhet të bien dakord për marrëveshjen”, tha Kallas në trevjetorin e luftës në Ukrainë.

Gjatë një vizite në Turqi në përvjetorin e luftës, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska mbetet e hapur për negociata, por se fushata e saj ushtarake do të ndalet vetëm nëse rezultati është i kënaqshëm për Rusinë.

Në Londër, Qeveria britanike pritet të shpallë sot një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë.

Protesta pro Ukrainës pritet të zhvillohen jashtë ambasadave ruse në mbarë botën, përfshirë: Holandën, Kanadanë, Japoninë, Lituaninë, Suedinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Në frontin e luftës, Ushtria e Ukrainës tha se ka rrëzuar 113 nga 185 dronët sulmues rusë, që u hodhën gjatë natës në 12 rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Shtatëdhjetë e një dronët tjerë u zhdukën nga radarët pasi u bllokuan.

Dronët ukrainas, ndërkohë, goditën një rafineri nafte në qytetin rus Rijazan, në jug të Moskës.

Lufta trevjeçare shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve dhe shkatërroi zona të tëra të Ukrainës.

Sipas shifrave të cituara nga Zelensky, së paku 46.000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth 380.000 janë plagosur.

Ndërkaq, viktimat ruse përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, i kalojnë 700.000, sipas vlerësimeve të Perëndimit në muajin Dhjetor./REL