24 vjeçarja e cila u gjet e vdekur në banesën e marrë me qira në Tiranë, rezulton se është vrarë nga babai i saj. Policia konfirmon se Fadi Alvan dhe Rajan Alvan janë babë e bijë dhe jo bashkëshortë siç dyshohej.

Interpol Tirana po kërkon të dhëna të tjera të anëtarëve të familjes për të zbuluar ndoshta shkakun e krimit të rëndë.

Autoritetet e drejtësisë shqiptare janë duke ndjekur gjurmët e 49-vjeçarit Fadi Alwan, i cili dyshohet se fshihet në Liban. Ekspertiza për vdekjen e vajzës nga Palestina ende nuk ka përfunduar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Burime nga policia bëjnë me dije se nga këqyrja e kamerave në aeroport rezulton se babai ka folur gjithë kohës, ndërsa vajza e tij nuk reagonte.

24-vjeçarja Rajan Alvan dhe babai i saj, Fadi Alvan, mbërritën në Rinas më 19 Shkurt, nga Gjermania. Pas vrasjes, më 22 Shkurt ai ka dalë nga Rinasi.

Vrasja u zbulua më datën 27 Shkurt. Ishte pronarja e banesës që njoftoi policinë pasi nuk kishte mundur të kontaktonte me dy shtetasit e huaj për përpilimin e kontratës së qirasë.

Ata janë prezantuar si çift dhe ishte vizita e parë e tyre në Shqipëri.

Klan News