Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis i ka dhënë një tjetër mesazh Shkupit zyrtar në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut.
Me ardhjen në pushtet të VMRO-së, si në Presidencë ashtu dhe në qeveri, kryetarja e re e shtetit e quajti në fjalimin e saj zyrtar shtetin Maqedoni, dhe jo Maqedoni e Veriut sipas Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.
Por Kryeministri Mitsotakis u ka kërkuar liderëve politikë të RMV-së që t’i lënë lojërat partiake dhe retorikën politike tani që zgjedhjet kanë përfunduar dhe të mbajnë sjellje serioze shtetërore.
“Marrëveshja e Prespës duhet respektuar. Emri i vendit është Maqedoni e Veriut dhe ata që ende e quajnë Republika e Maqedonisë do të na kenë përballë. Miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut duhet ta kuptojnë se periudha parazgjedhore ka përfunduar dhe duhet të bëhen seriozë”, u shpreh Mitsotakis.
Kryeministri grek paralajmëroi se Maqedonia e Veriut do të izolohet ndërkombëtarisht nëse vazhdon me të njëjtën sjellje.
“Besoj se do t’u bëhet presion i madh, tashmë ka pasur një reagim nga Presidentja e Komisionit Europian pas ndërhyrjes greke. Greqia nuk është e izoluar, Shkupi është. Çështjet për emrin e Shkupit nuk ndryshojnë. Ajo që duhet t’u bëjmë është t’ju shpjegojmë se kjo politikë e tyre do t’i çojë në izolim ndërkombëtar. Ne nuk jemi naivë dhe dimë t’i menaxhojmë këto lojëra me partitë e vogla”, theksoi Mitsotakis për mediat greke.
/tvklan.al