Janë publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare ndryshimet e reja në Urdhrin e Mjekëve, ku janë të përcaktuara qartë rregullat që i lejojnë apo i përjashtojnë nga punësimi edhe në spitalet private.
Ndryshimet synojnë rregullimin e aktivitetit të mjekëve që duan të punojnë njëkohësisht në spitale publike dhe në ato jo publike, por pa cenuar aktivitetin profesional tek strukturat shtetërore.
Në Urdhrin e ri të Mjekëve specifikohet se një mjek nuk mund të punojë në spitale apo klinika private më shumë se 30% të orëve mujore, që punon në sistemin shëndetësor publik, pra jo më shumë se 12 orë në javë apo jo më shumë se 50 orë në muaj.
Një tjetër hallke e rëndësishme në urdhrin e ri është se mjekut i ndalohet t’i sugjerojë pacientit që ka shkuar për trajtim dhe shërbime në spitalin publik ta orientojë drejt spitalit jo publik ku ai ushtron profesionin.
Gjithashtu titullari i spitalit merr vendim nëse do të lejojë doktorin e sistemit publik të punojë në spital privat apo jo. Për të dhënë lejen ose jo titullari ka parasysh tre kritere: Ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në spitalin publik, mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në spital si dhe mundësinë e konfliktit të interesit.
Për të gjithë mjekët që nuk zbatojnë urdhrin e ri, aplikohen masa ndëshkimore nga vërejtje, deri tek pezullimi i shërbimeve mjekësore për një kohë, pezullimi i licencës apo heqja e saj dhe gjoba 100 mijë deri në 1 milionë lekë të reja.
Urdhri i ri i Mjekëve përcakton gjithashtu se nuk mund të punojnë në privat mjekët që janë të punësuar në spitale publike, të cilat kanë përfituar statusin e autonomisë spitalore, si spitali Memorial i Fierit, apo ata që kanë kartën e Autonomisë Menaxheriale Spitalore si QSUT, Spitali Rajonal Durrës, Spitalit Rajonal Vlorë, ai i Lezhës dhe Spitali rajonal Shkodër.
Ky mekanizëm i ri u krijua pas skandalit që ndodhi disa muaj më parë në Spitalin Onkologjik në Tirane ku mjekët i dërgonin pacientët për trajtim në klinika private.
Klan News