Të gjithë mjekët që aktualisht punojnë edhe në shtet edhe në privat, brenda dy muajve duhet të paraqesin tek titullari i institucionit shëndetësor publik këtë kërkesë me shkrim për vijim e marrëdhënies së tyre të punës edhe në privat.

Kështu parashikohet në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë që është botuar në fletoren zyrtare dhe që ka hyrë në fuqi menjëherë. Sipas këtij udhëzimit, drejtuesi i spitalit publik, vendos nëse mjeku mund të punojë edhe në privat duke marrë në konsideratë disa kritere:

TITULLARI I SPITALIT PUBLIK MERR NË KONSIDERATË:

a)  ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në institucionin shëndetësor publik;

b) ngarkesën mendore dhe fizike që kërkohet për llojin e specialitetit që mjeku ushtron në shtet dhe atë që kërkon të ushtrojë në privat.

c) korrektësinë e mjekut në respektimin e orarit të punës, para paraqitjes së kërkesës;

d)  mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në institucionin shëndetësor publik;

Funksionari më i lartë i spitalit duhet të vendosë nëse e miraton kërkesën apo jo brenda 10 ditëve.

Po ashtu të gjithë mjekët që punojnë vetëm në shtet, por kërkojnë ta ushtojnë profesionin e tyre edhe në një nga spitalet private të vendit, duhet të bëjnë kërkesë me shkrim tek drejtuesi i tyre me informacionet e përcaktuara në këtë udhëzim.

Ndryshimet në urdhrin e mjekut përcaktuan se mjekët që mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, nuk mund të mbajnë funksione drejtuese në spitalet private.

Tv Klan